Osmani: Nevojitet përvoja e Estonisë për formimin e ekipeve negociuese

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Estonisë është pritur sot nga Ministri i Punëve të Jashtme, Sven Mikser.

Në takim, siç njofton Kabineti i zëvendëskryeministrit janë shqyrtuar prioritetet e kryesimit estonez me Këshillin e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit, politika e zgjerimit, si dhe procesi i integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri Osmani me këtë rast potencoi përcaktimin politik të Republikës së Maqedonisë si pjesë e optimizmit evropian që është shtrirë në mbarë rajonin e Ballkanit, por edhe mes vendeve anëtare të BE-së. Ky momentum volitshëm është shans historik në rrafshin e integrimeve euro-atlantike, për çka Republika e Maqedonisë po bënë çmos që të mos lëshohet si mundësi.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se Republika e Maqedonisë shikon me optimizëm faktin që Republika e Estonisë do të kryesojë deri në fund të vitit Këshillin e Bashkimit Evropian, periudhë kjo gjatë së cilës shteti ynë po punon me përkushtim të theksuar për çuarjen përpara të reformave dhe evitimin e të gjitha barrierave që vështirësojnë përafrimin me BE-në.

“Qëllimi ynë është që, përderisa zgjat kryesimi I Estonisë, të marrim sinjalet e para nga BE-ja për vizibilitetin e perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë’”, deklaroi Osmani, duke nënvizuar se është mire që Republika e Maqedonisë në rrugëtimin e vet drejt BE-së ka miq dhe mbështetës dhe edhe Republika e Estonisë është në mesin e këtyre aleatëve.

Në këtë drejtim, Osmani kërkoi ndihmë të drejtpërdrejt nga Estonia për Sekretariatin për Çështje Evropiane, për formimin, përgatitjen dhe trajnimin e ekipit negociues për fillimin eventual të negociatave që të jenë të pritur me ekip të përgatitur për negociata.

Në mënyrë plotësuese, Osmani kërkoi edhe mbështetje në përvojë dhe njohuri për formimin dhe përgatitjen e strukturës negociuese në gjithë administratën, duke e pasur parasysh përvojën e Estonisë, si dhe ngjashmërinë e administratës evropiane në të dy vendet.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se BE-ja po e konfirmon pozicionin e mbështetjes së procesit të zgjerimit, ndërkaq kryesimi i Estonisë, si dhe më pas të Bullgarisë, Austrisë dhe Rumanisë, janë një rast i papërsëritshëm, një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta humbasin.

Në kuadër të vizitës në Estoni, zëvendëskryeministri Bujar Osmani do të realizojë takime edhe me Klen Jarac, Drejtor i Zyrës për Çështje Evropiane në Qeverinë e Republikës së Estonisë, me Tomas Vitsut, Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin estonez, si dhe me Erik Nils Kros, Kryetar i grupit parlamentar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Estonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *