Kosova dërgoi ekipe shpëtimi në Shqipëri

Kosova sot i dërgoi ekipet e para të shpëtimit në Republika Shqipërisë, e cila po ballafaqohet me një situatë emergjente, për shkak të shirave të pandërprera.

Drejtoria e Emergjencave Civile e Republikës së Shqipërisë, ka kërkuar ndihmë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, për mbështetje në operacionet e shpëtimit me pesë ekipe të shpëtimit dhe tre ekspert për vlerësimin e situatës.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i AME-së me miratimin paraprak të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka vendosur që sot në ora 06:00 ekipet e shpëtimit të nisen për në destinacion.

“Ekipet janë të përbëra nga 34 pjesëtarë të përzgjedhur nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të pajisur me mjetet përkatëse për zhvillimin e operacioneve të shpëtimit në ujëra sipërfaqësor dhe kjo natyrisht pa e dëmtuar kapacitetin tonë reagues brenda vendit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Shqipëria edhe më tej përballet me gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në tre ditët e kaluara. Janë evakuuar rreth pesë mijë njerëz nga shtëpitë e tyre

Vjosa, njofton Top Channel po avancon me përmbytjen në zonën e Fierit dhe Vlorës. Qindra familje janë larguar me shpejtësi prej andej me ndihmën e ushtrisë dhe policisë.

Emergjencat Civile bëjnë të ditur se në këtë zonë është rreziku më i madh.

Për përballimin e gjendjes janë angazhuar 710 forca dhe 152 mjete. Vështirësi paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë, ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë, ndërsa në akse të tjera po punohet për eliminimin e rrëshqitjeve të dherave.

OSHEE ka riparuar defektet. Aktualisht punohet për të stabilizuar gjendjen nënënstacionet e Zëmblakut, Maliqit, Radhimës dhe Memaliajt. Në vend janë pa energji 45,000 abonentë.

Nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë. Komiteti u bën thirrje qytetarëve që vijojnë të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet ende mjeti më i rëndësishëm për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *